Besim Beqaj: Përkushtim i politikave strategjike të Qeverisë së Kosovës është riorientimi i ekonomisë drejtë ekonomisë digjitale

Prishtinë, 12 tetor 2018 - Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi DIGITAKS, organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë kanë marrë pjesë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Komisionerja e BE-së për Ekonomi Dixhitale dhe Shoqëri të Informacionit znj. Mariya Gabriel, Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi, ministra të vendeve të rajonit, ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ambasador të akredituar në Kosovë, inovatorë dhe ndërmarrës nga Kosova dhe rajoni.

Në hapje të ditës së dytë të Konferencës ministri Besim Beqaj ka shprehur mirëseardhje për pjesëmarrësit dhe mysafirët duke theksuar se Konferenca është e para e këtij lloi në Kosovë që do të bëhet konferencë vjetore. Z. Beqaj tha se qëllimi i Konferencës DIGITALKS është ndërtimi i një dialogu të vazhdueshëm mes ekonomive tona, për të garantuar zhvillim të përbashkët dhe shkëmbim të përvojave.

“Përkushtimi i politikave strategjike Qeverisë së Republikës së Kosovës është riorientimi i ekonomisë, drejtë ekonomisë digjitale, ku vendet konkurrojnë mes vete me burime njerëzore adekuate, ekonomi të bazuar në dije dhe teknologji të reja”, theksoi ministri Beqaj.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në Konferencën DIGITALKS, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shprehur përkrahjen e tij për Ministrinë e Inovacionit dhe ministrin Beqaj, duke theksuar së edhe qëllimin e themelimit të kësaj ministrie.

“Teknologjia informative sot është parametri themelor që përcakton nivelin e zhvillimit ekonomik të një vendi dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të kapim ritmet e zhvillimeve që po ndodhin në këtë sektor. Ne kemi popullatën më të re në Evropë, por ky fakt vetvetiu nuk nënkupton zhvillim. Duhet ta aftësojmë, ta përgatisim këtë popullatë të re, për të qenë pjesë aktive e trendeve bashkëkohore të zhvillimit ekonomik”, tha z.Veseli.

Fjalë përshendetëse para të pranishmëve ka mbajtur edhe Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj i cili ka theksura rëndësinë që ka përkrahja e inovacionit dhe ndërmarrësisë për Qeverinë e Kosovës.

Komisionerja e BE-së Mariya Gabriel në paraqitjen e saj ka folur për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës dhe vendeve të rajonit në Agjendën Digjitale të Bashkimit Evropian. Znj. Gabriel ka theksuar se BE-ja dhe Ballkani kanë të ardhem të përbashkët.